Kerko Mesazhet ketu

Sunday 13 December 2015

Mesazhi i parë nga Hyji Atë: Koha ka ardhur tani që Unë ta rivendos Mbretërinë Time të Lavdishme – Parajsa e Re mbi Tokë do të zgjasë 1,000 vjet

E Shtunë, 25 Qershor 2011, në 16:00

Shënim nga vizionarja: Pikërisht përpara se të merrja këtë Mesazh, unë sapo kisha mbaruar së recituari Mëshirën Hyjnore kur papritur Shpirti i Shenjtë më njoftoi se do të merrja një Mesazh nga Hyji Atë. Unë po dridhesha nga emocionet. Pastaj unë bëra pyetjen “Në Emër të kujt vjen?” Kjo ishte përgjigja:

Unë vij në Emër të Birit Tim të dashur, Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit. Unë Jam Hyji Atë dhe Unë Jam duke të folur ty për herë të parë. Bija Ime e zgjedhur, Unë të flas ty sot që të mund ta informoj njerëzimin për Dashurinë që Unë kam për të gjithë.

Shumë nuk më njohin Mua. Ata mendojnë se po, por për miliona nga fëmijët e Mi Unë Jam kryesisht një entitet pa fytyrë. Sa pak e njohin ata dëshirën Time për t'iu lejuar atyre që të më lënë Mua t'i Dua ata në mënyrën që duhej të ishte.

Emri Im përdoret lirshëm në botë, nga shumë që nuk e pranojnë se ishte prej Dorës Sime që bota dhe krijesat e saj u krijuan. Për ata që e pranojnë, ata janë të paqartë se Kush Unë Jam dhe janë disi të frikësuar nga Unë. Unë nuk Jam për t'u pasur frikë sepse Dashuria Ime është e Pastër për të gjithë fëmijët e Mi.

Kaq shumë Unë ju dua sa Unë bëra Sakrificën më të madhe nga të gjitha për t'ju kthyer në Krahët e Mi dhe për t'ju dhënë mundësinë që të shpëtoni nga mashtruesi. Unë dërgova Birin Tim të dashur, Jezu Krishtin, në botë me qëllim që ju të mund ta kuptonit të Vërtetën e Dashurisë. Kjo Dashuri, kur ju e pranoni atë, do t'ju shpëtojë të gjithëve.

Zemra Ime thyhet nga mënyra se si kaq shumë prej jush nuk duan të kthehen tek Unë dhe të më tregojnë Mua dashurinë tuaj. Unë kam dëshirë që ju thjesht të ktheheni dhe të më kërkoni Mua ndihmë. Nuk duhet të keni frikë nga Dashuria Ime sepse është prej Dashurisë Sime që ju është dhënë fryma e parë. Unë e krijova secilin prej jush në Ngjashmërinë Time që të mund të kisha një familje. Unë e krijova botën prej Dashurisë së Pastër që ju, fëmijët e Mi, të mund ta ndanit këtë Parajsë me Mua. Me kaq dashuri u krijua kjo saqë çdo hollësi e vetme u ndërtua me kaq kujdes. Kaq i lumtur isha Unë kur Parajsa mbi Tokë u krijua sa engjëjt gëzonin dhe Qielli u ndriçua me flakët e dashurisë, saqë asnjë qenie njerëzore nuk mund ta imagjinonte ndonjëherë. Dhe më pas ajo u shkatërrua nga mëkati, i shkaktuar prej gjarprit.

Fëmijët e Mi, më lejoni Mua t’jua shpjegoj. Koha ka ardhur që Unë ta rivendos Parajsën të cilën Unë e krijova me dashuri që ne, përsëri, të mund të bëhemi një familje.

Një familje që do të bëhet e ngushtë prej lidhjeve të fuqishme të dashurisë që do ta bashkojnë atë.

Kjo Parajsë e Re mbi Tokë tani është duke u planifikuar për të gjithë fëmijët e Mi. 

Ajo do të zgjasë 1,000 vjet mbi Tokë dhe askush nuk duhet përjashtuar, sepse kjo do ta copëtonte Zemrën Time. Biri Im i dashur, Jezu Krishti dhe Shpirti i Shenjtë po përpiqen fort për t'ju kthyer në përqafimin Tim të dashur që Parajsa, e krijuar në fillim, të mund të shfaqet edhe një herë si Dhurata më e madhe nga të gjitha për t’i gëzuar fëmijët e Mi.

Kjo Parajsë do të jetë një vend i dashurisë, bukurisë, lavdisë dhe do të jetë shtëpi për të gjithë ata që janë të pastër në zemër dhe shpirt. Ajo është për çdo shpirt të vetëm mbi Tokë dhe është qëllimi që përmbahet brenda çdo shpirti të vetëm mbi Tokë, përfshirë ata që nuk e kuptojnë këtë.

Biri Im i flet botës dhe përgatitet për ta treguar Mëshirën e Tij të madhe gjatë Paralajmërimit, për t'iu dhënë të gjithë mëkatarëve një mundësi për ta shijuar Parajsën e Re mbi Tokë.

Ju duhet ta dëgjoni Zërin Tim. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të kushtoni vëmendje. Kthehuni tek Unë. Pranojeni që Unë Ekzistoj, që Unë Jam Burimi i gjithë jetës, i gjithë Krijimit, i gjithë lavdisë. Kur ju ta pranoni, ju do të jeni të mirëpritur në Parajsën Time mbi Tokë e cila ju ofron gjithçka që ju mund të keni ëndërruar ndonjëherë. Dëgjojeni Birin Tim dhe Mesazhin që Ai i jep botës për t'ju kthyer të gjithë juve. Për ata që nuk do të dëgjojnë edhe atëherë, apo që do të vazhdojnë në udhën e keqe të mëkatit, asnjë Mëshirë nuk do të tregohet.

Unë Jam Hyji i gjithë Krijimit. Unë Jam Hyji i Dashurisë, i Dhembshurisë. Unë Jam gjithashtu Hyji i Drejtësisë. Dora Ime do të bjerë mbi njerëzimin, që përmes besnikërisë djallëzore ndaj të ligut, refuzon të ndjekë udhën e Dashurisë dhe të së Vërtetës.

Sepse koha ka ardhur tani që Unë ta rivendos Mbretërinë Time të Lavdishme, të cilën asnjë njeri, përmes mëkatit, nuk do ta ndalojë. Po ta provonin ata do të ishin të humbur përgjithmonë.

Unë Jam Hyji juaj, Krijuesi juaj. Dashuria Ime kurrë nuk vdes. Ajo është e ndezur dhe e mbushur me butësi të thellë për ju për t'u kthyer tek Unë, tek trashëgimia që Unë me kaq dashuri e krijova. Për shkak të mëkatit shumë nga fëmijët e Mi do të duhet ta humbasin të drejtën e tyre ndaj kësaj trashëgimie dhe të largohen për të lejuar që ata, të cilët me të vërtetë më duan Mua, të hyjnë pa pengesë tek portat.

Ju lutem, fëmijë, mos e shpërfillni Thirrjen Time ndaj njerëzimit. Pranojeni Mëshirën që tani po ju ofrohet nga Biri Im i dashur.

Pranojeni atë me krahë hapur.

Hyji Atë
Krijuesi dhe Bërësi i të Gjitha Gjërave

https://fatherofloveandmercy.wordpress.com/2011/06/25/first-message-from-god-the-father-the-time-has-come-now-for-me-to-reclaim-my-glorious-kingdom-new-paradise-on-earth-will-last-1000-years/